Krimi kibernetik është një fushë krimi me rritje të shpejtë dhe po bëhet më agresive. Tendencat e reja në krimin kibernetik po shfaqen gjatë gjithë kohës duke marrë parasysh modernizimin e teknologjive të internetit. Gjithnjë e më shumë kriminelë po përdorin shpejtësinë, komoditetin dhe anonimitetin e internetit për të kryer aktivitete kriminale që nuk njohin kufij, duke paraqitur një kërcënim të rëndësishëm për viktimat në mbarë botën. Në të njëjtën kohë, zhvillimet dhe risitë e fundit teknologjike paraqesin sfida në rritje për të kryer hetime efektive dhe për të rritur presionin mbi drejtësinë penale për të përshtatur mjetet dhe qasjet e nevojshme në përputhje me rrethanat.
Në këtë kuadër dhe duke pasur parasysh rëndësinë e luftës kundër krimit kibernetik, EU4LEA në bashkëpunim të ngushtë me Shkollën e Magjistraturës kanë organizuar një seminar njëditor mbi metodologjinë dhe teknikat e hetimit të krimit kibernetik. Në seminar morën pjesë gjyqtarë dhe prokurorë të gjykatave dhe prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BHK) dhe punonjës policie të Policisë së Shtetit të Shqipërisë (PSSH).
Ekspertët ndërkombëtarë që morën pjesë në seminar dhanë një prezantim gjithëpërfshirës të kuadrit ligjor ndërkombëtar për krimin kibernetik dhe prezantuan disa aspekte të dobishme operacionale për kërkimin dhe marrjen e provave elektronike në kuadër të hetimit penal.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të adresojnë shumë çështje tek ekspertët ndërkombëtarë që lidhen kryesisht me transaksionet dixhitale, teknologjinë Blockchain, metodat dhe protokollet e hetimit etj. Ata u përfshinë në një diskutim interaktiv dhe teknik gjatë seminarit me fokus bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve gjyqësore kompetente të përfshira në krimet e kryera me anë të teknologjisë së informacionit.