Tridhjetë e tre hetues të BKH-së kanë përfunduar trajnimin njëjavor në punë të mbajtur pranë Drejtorisë së Hetimit Anti-Mafia (DIA) në Romë, Itali, në datat 21-25 nëntor 2022.
Projekti “Bashkimi Evropian për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri – EU4LEA” është i angazhuar në mënyrë aktive në mbështetjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit në përpjekjet e saj për të arritur kapacitetin e plotë operacional nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Gjatë seancave të trajnimit hetuesit u njohën me karakteristikat kryesore të organizatave kriminale italiane më të rrezikshme me fokus lidhjet me kriminalitetin shqiptar. Hetuesit e lartë nga DIA informuan kolegët shqiptarë për teknikat më të avancuara të hetimit që synojnë shkatërrimin e organizatave kriminale të stilit mafioz dhe të marrëveshjeve të tyre me politikanë dhe zyrtarë publikë të korruptuar. Vëmendje e veçantë iu kushtua teknikave për identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të paligjshme dhe të parave të pista.
Për më tepër, hetuesve të BKH-së iu dha mundësia jo vetëm të bashkoheshin me kolegët italianë të DIA-s në terren teksa po përdornin metodat speciale të hetimit, por edhe të vizitonin laboratorët e mjekësisë ligjore të specializuar në identifikimin e gjurmëve të fshehura të gishtave dhe gjurmëve të ADN-së.
Më shumë foto …..