Komponenti për Menaxhimin e Integruar të Kufirit i Projektit EU4LEA organizoi një trajnim dyjavor intensiv dhe me cilësi të lartë, me fokus automjetet e vjedhura ose të manipuluara, në datat 30 janar – 10 shkurt 2023.
Trajnimi u zhvillua nga dy ekspertë të lartë ndërkombëtarë afatshkurtër nga policia austriake, me njohuri të thella dhe përvojë të gjatë mbi mjetet motorike të vjedhura ose të manipuluara.
Java e parë e trajnimit u organizua në Shkodër, PKK Hani i Hotit dhe PKK Muriqan dhe java e dytë e trajnimit u zhvillua në Gjirokastër, PKK Kakavijë.
Në trajnim morën pjesë 40 punonjës të policisë kufitare të caktuar për të kryer kontrollet në vijën e dytë, të ardhur nga të gjitha Drejtoritë Vendore të Kufirit dhe Migracionit.
Qëllimi i trajnimit ishte rritja e njohurive dhe ekspertizës për identifikimin e mjeteve motorike të vjedhura apo të manipuluara në kufi. Trajnimi u mbështet me nga një Set pajisjesh dhe skanerë OBD të prokuruara nga Projekti EU4LEA për çdo PKK që ka një garazh për kontrollet e vijës së dytë.
Projekti EU4LEA do të monitorojë progresin në muajt e ardhshëm me synimin për të ofruar kurse trajnimi më të avancuara dhe për të bërë punonjësit më të motivuar si pjesë e rrjeteve evropiane për automjetet e vjedhura dhe trajnerë në të ardhmen.


