Sot më 30 Mars 2023, Projekti EU4LEA organizoi një ceremoni dhurimi në bashkëpunim të ngushtë me përfituesin kryesor të projektit, Policinë e Shtetit Shqiptar.
Në kuadër të bashkëpunimit me Policinë e Shtetit Shqiptar, përkatësisht nën komponentin 1: ‘Përmirësimi i performancës së Policisë së Shtetit Shqiptar (PSH), SPAK-ut (Prokuroria e Posaçme dhe BKH), Prokurorisë të Përgjithshme dhe atyre të Rretheve dhe agjencive përkatëse në luftën kundër krimit të organizuar/krimit të rëndë, korrupsionit në nivele të larta dhe krimit mjedisor’’, projekti EU4LEA i dhuroi Policisë së Shtetit dy stacione pune/kompjutera të avancuar. Kompjuterat e avancuar të punës do të mbështesin Zyrën Qendrore Kombëtare të Interpol Tiranës, në Departamentin e Policisë Kriminale për të përmirësuar dhe rritur efikasitetin në kryerjen e detyrave e përgjegjësive të tyre të përditshme.
Përveç kësaj, në kuadrin e komponentit 2: “Përmirësimi i Menaxhimit të Integruar të Kufirit Kombëtar”, disa mjete dhe pajisje iu dhuruan Departamentit për Kufirin dhe Migracionin. Ekipi i projektit për MIK ka kryer vizita në terren në pikat kryesore të kalimit kufitar dhe ka pasur takime vijuese me Departamentin për Kufirin dhe Migracionin për vlerësimin e nevojave në lidhje me mjetet dhe pajisjet specifike. Mjete/pajisje të tilla do të mbështesin oficerët e Kufirit dhe Migracionit në PKK për të kryer më mirë aktivitetet e tyre të përditshme në drejtim të kontrollit të dokumenteve dhe kontrollit të automjeteve. EU4LEA i ka shoqëruar të tilla donacione me trajnimet përkatëse për oficerët e policisë për kufirin dhe migracionin mbi “Mjetet e Vjedhura ose të Manipuluara” dhe “Dokumentet e Falsifikuara”.
Në ceremoninë e dhurimit morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit z. Muhamet Rrumbullaku dhe drejtues të tjerë të Policisë së Shtetit Shqiptar, z. Fabio OTTAVIANI, Drejtues Projektit EU4LEA dhe Z. Richard DULLNIGG, Zëvendës Drejtues i Projektit/Ekspert afatgjatë për MIK në EU4LEA.
Z. Rrumbullaku vlerësoi mbështetjen e BE-së jo vetëm në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe në fushën e kufirit dhe migracionit, por edhe në të gjitha fushat e tjera që mbulon Policia e Shtetit. Ai theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer me EU4LEA dhe ekspertizën e sjellë nga ekspertët e saj për të mbështetur policinë në afrimin e saj me standardet e BE-së.
Z. Ottaviani vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin e shkëlqyer të Policisë së Shtetit me projektin EU4LEA dhe siguroi që EU4LEA është e gatshme të mbështesë më tej Policinë e Shtetit jo vetëm me trajnime përkatëse, por edhe me ekspertizën e saj nga vendet e BE-së dhe duke ofruar mbështetje teknike për të rritur performancën e Policisë së Shtetit.