Gratë në drejtim është një ndër temat më të diskutuara, kjo për shkak të përfaqësimit të ulët të grave në pozicionet drejtuese në Policinë e Shtetit. Gjatë trajnimit dy-ditor me temë “Forcimi i njohurive teorike dhe praktike të grave në Policinë e Shtetit për menaxhimin dhe aftësimin e tyre praktik”, organizuar me datë 27 dhe 28 mars 2024 në ambjentet e Akademisë së Sigurisë u zhvilluan diskutime të shumta dhe te vlefshme mbi këtë tematikë.
Ky trajnim u ndoq nga gratë police të rolit bazë, dhe ishte një kombinim i aspekteve teorike dhe praktike të temës, e cila u prezantua në mënyrë ndërvepruese dhe aktive nga dy përfaqësues të Policisë Lituaneze. Gjatë ditës të parë të trajnimit, gratë police diskutuan mbi problematika të ndryshme me të cilat ato përballen cdo ditë, të tilla si dhuna dhe ngacmimi në vendin e punës, mekanizmat praktik të vendimmarrjes, si dhe instrumentat për nxitjen dhe promovimin e diversitetin gjinor në Policinë e Shtetit. Dita e dytë u përqëndrua në njohuritë praktike dhe taktike, kursin per vetëmbrojtje, trajnimin praktik në dyluftim trup me trup – si të mbrojmë veten dhe të tjerët nga një sulm i dhunshëm.
Në përfundim të trajnimit, grate police theksuan domosdoshmërinë dhe rëndësinë e organizimit të këtyre trajnimeve, sidomos zhvillimin e sesioneve trajnuese praktike dhe taktike në mënyrë periodike.