Komponenti për Menaxhimin e Integruar të Kufirit i Projektit EU4LEA, në koordinim me Departamentin e Kufirit dhe Migracionit të Policisë së Shtetit, organizuan një trajnim njëjavor me fokus kamionët, rimorkiot, automjetet e rënda të vjedhura apo të manipuluara dhe teknologjinë e kërkimit të tyre, në Pikën e Kalimit Kufitar (PKK) Qafë-Thanë, në datat 08-12 Prill 2024.
Qëllimi i trajnimit ishte rritja e njohurive dhe ekspertizës së kontrollorëve të vijës së dytë për identifikimin e kamionëve, rimorkiove dhe automjeteve të rënda të vjedhura ose të manipuluara në kufi. Ky trajnim specifik erdhi si vazhdim i aktiviteteve trajnuese mbi veturat e vjedhura, të ofruara nga Projekti EU4LEA gjatë vitit 2023. Trajnimi u ndoq nga 16 punonjës të kufirit të ardhur nga PKK të ndryshme në të gjithë vendin.