Më 27 qershor 2024, u mbajt një ceremoni e veçantë për të festuar përfundimin me sukses të kursit të “Vëzhgimit Dinamik në Zonat Urbane”. Ky event shënoi përfundimin e një programi intensiv trajnimi dyjavor që u mbajt për disa grupe pothuajse gjatë një viti, i fokusuar në teknikat e avancuara të vëzhgimit si p.sh. ndjekjet, vëzhgimi me dron dhe vëzhgim bazuar në metodologji të tjera të avancuara. Kursi i organizuar nga projekti EU4LEA kishte për qëllim rritjen e aftësive të personelit të plotë të hetuesve nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), oficerëve të Forcave të Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit (PSHSH) dhe oficerëve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm shumë zyrtarë të nivelit të lartë nga PSHSH-ja, BKH-ja, AMP-ja, Delegacioni i BE-së në Tiranë dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë të cilët vlerësuan maksimalisht arritjet e kursit. Hetuesit dhe oficerët u pajisën me certifikatat, të nënshkruara nga Drejtori i Përgjithshëm i PSHSH-së, nga Drejtori i BKH-së, Drejtori i AMP-së, Rektori i Akademisë së Sigurisë dhe Drejtuesi i Ekipit të projektit EU4LEA.
Një pikë kulmore e ceremonisë ishte fjalimi i veçantë i Gjeneralit të Brigadës, Z. Vincenzo Molinese, Komandant i Grupit Operacional Special (ROS) të Trupës së Karabinierisë italiane. Gjenerali i Brigadës, Komandanti Molinese, duke përfaqësuar Grupin Operacional Special (ROS) që ka ofruar ekspertizën për kursin e trajnimit në fjalën e tij, ndau pikëpamjet e tij duke përgëzuar pjesëmarrësit për përkushtimin dhe arritjet e tyre.
Projekti EU4LEA, duke organizuar këtë kurs dhe ceremoni, ka njohur dhe vlerësuar përkushtimin dhe përsosmërinë e hetuesve dhe oficerëve teksa kanë kryer përmirësime të ndjeshme të aftësive të tyre në vëzhgimin dinamik, duke kontribuuar kështu në rritjen e sigurisë së vendit.