Trajnim për Operacionet e Kërkim Shpëtimit në Det dhe Ndihmën e Parë

Projekti EU4LEA, në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Kufirit dhe Migracionit të Policisë së Shtetit dhe Rojes Bregdetare Shqiptare, organizuan një aktivitet trajnimi pesë-ditor me fokus në operacionet e kërkim-shpëtimit (SAR) në det dhe Ndihmën e Parë, në datat 09-13 tetor 2023.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte rritja e njohurive dhe ekspertizës së punonjësve të policisë së kufirit detar për operacionet e kërkim-shpëtimit në det dhe mënyrën e ofrimit të ndihmës së parë për personat në vështirësi, që janë të ekspozuar ndaj rreziqeve në det.

Trajnimi u zhvillua në Njësinë Speciale të Kufirit dhe Migracionit “DELTA” në Radhimë, Vlorë. Në të morën pjesë 30 punonjës të policisë së kufirit detar  të caktuar si ekuipazh në mjetet lundruese policore dhe përdorues të Jet-Ski-ve. Trajnimi u zhvillua nga instruktorë të Rojes Bregdetare Shqiptare  me njohuri të thella dhe përvojë të gjatë në këtë fushë dhe  mjekë për procedurat e ndihmës së parë. Projekti EU4LEA do të vazhdojë të mbështesë Departamentin e Kufirit dhe Migracionit në përmirësimin e aftësive praktike dhe profesionale.